Mungesa e një të akuzuari shtyn gjykimin për rastin e korrupsionit në MASHT
Seanca gjyqësore ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë, të akuzuar për korrupsion dhe manipulime në procedurat e prokurimit publik në MASHT, është shtyrë për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve.
Shtyrja është bërë për shkak të mungesës së të akuzuarit Mergim Limaj, i cili ka kërkuar shtyrjen e seancës pasi, sipas njoftimit, për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të paraqitet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykimi ishte paraparë të mbahej sot (20 shkurt 2025) në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Rastin e përfaqëson prokurori Dren Paca, ndërsa gjyqtar është Leon Perlaska.
Gjyqtari bëri të ditur se do të urdhërojë një ekzaminim të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit. Ndërkaq, Visar Bibaj, avokat mbrojtës Mergim Limajt kërkoi që ekzaminimi të përfshijë vlerësimin e gjendjes së tij në kohën e kryerjes së veprës penale, si dhe në kohën aktuale.
Po ashtu, në këtë seancë mungoi edhe përfaqësuesi i personit juridik Shkëmbi Gllareva, Gëzon Berisha, për të cilin gjyqtari i rastit bëri të ditur se do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në fund të vitit 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë: N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B., I.E., dhe tre personave juridikë: “A&F P. Sh.p.k, ”S. Sh.p.k”, ”Sh.G Sh.p.k”., për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,“Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Sipas PSRK-së, të akuzuarit ngarkohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë mashtruar në procedurat e prokurimit publik me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
A.M., dhe N.D., ngarkohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit mbi 1 milion euro.
“Të pandehurit A.M, N.D., nga 02.04.2019 e deri më 11.03.2021, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, kanë hartuar kritere përzgjedhëse në procedurat e tenderimit “Blerja e pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, të cilat favorizonin operatorin fitues dhe përjashtonin padrejtësisht operatorë të tjerë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 1,824,970.00 euro”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, A.B., Xh.B., M.Z., N.D., dhe A.M., akuzohen se me kontraktimin e produkteve me çmim 1900% më të lartë sesa në treg, i shkaktuan buxhetit të shtetit dëm mbi 2 milionë euro.
“Të pandehurit A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M., nga 26.10.2020 deri më 27.11.2023, në cilësinë e personave zyrtarë pranë MASHT, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se ato të tregut duke i shkaktuar buxhetit dëm prej 2,148,282.35 euro”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, me lejimin e dorëzimit të produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia, në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, akuzohen se i shkakruan dëm buxhetit të shtetit mbi 3 milionë euro.
“Gjithashtu, në kundërshtim me kushtet e kontratës, kanë lejuar dorëzimin e produkteve me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të produkteve me origjinë nga Bashkimi Evropian, siç ishte përcaktuar në kontratë. Si pasojë e këtyre veprimeve, është shkaktuar dëm i përgjithshëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 3,626,243.80 euro”, njofton PSRK-ja. /BetimipërDrejtësi/

