75 Mall Live Search
10:42 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / L K

MUNGESA QË DHEMB: KUR SHTETI MBETET PA ZË …

Shkruan, Bajram Gecaj

Mbrëmë, në emisionin “Kallxo Përnime”, ndoqa një intervistë që më la përshtypje. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, foli qartë dhe qetë për sfidat e mëdha të drejtësisë në vend, duke shfaqur një profesionalizëm dhe integritet që rrallë shihen sot në jetën publike.
Por pikërisht kjo më shtyu të bëj disa paralele të dhimbshme.
Sot e pesë vjet, Kosova ka mbetur pa një Kryeprokuror të Shtetit. E tash, në mëshirën e Gjykatës Kushtetuese (GJK), pa Kuvend funksional, pa Qeveri, por edhe pa një varg institucionesh të rëndësisë vitale për shtetin. Është kjo logjika politike: nëse nuk mund të “kapet” një institucion, atëherë më mirë të mbetet bosh.
E kemi parë këtë qasje edhe më herët, në rastin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kur u largua Valdete Daka, një profesioniste e jashtëzakonshme që e njoh që nga koha kur shërbeja në Ambasadën Amerikane. U largua jo për mungesë aftësie apo ndonjë shkelje, por sepse nuk pranoi t’i shërbente interesave individuale e partiake.
Një ish-sekretar i përgjithshëm i një ministrie më rrëfente se si i ishte ofruar të qëndronte në detyrë, me kushtin absurd që një herë në javë të raportonte në zyrat e LVV-së, me gjase tek zonja Dejona Mihali. Ai refuzoi, siç do të bënte çdo profesionist me integritet, me arsyetimin e thjeshtë: “sekretari i përgjigjet ministrit, jo një partie politike.”
Ky është problemi kryesor: në Kosovë po largohen profesionistët që nuk pranojnë t’i nënshtrohen diktatit partiak. E kjo bëhet edhe më e rrezikshme kur përpiqen të nënshtrojnë shtyllat themelore të pushtetit, si gjyqësori dhe prokuroria.
Le të ndalemi pak edhe te personaliteti i z. Blerim Isufaj, të cilin nuk e kam takuar kurrë dhe me të cilin nuk kam asnjë lidhje personale. Por, i sfiduar nga intervista e tij, bëra disa kërkime.
Nga sa mësova, ai është një jurist par excellence që ka kaluar të gjitha shkallët e sistemit të drejtësisë, ashtu siç ngjiten diplomatët apo ushtarakët në hierarki: me përkushtim, integritet dhe rezultate. Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte propozuar unanimisht për Kryeprokuror të Shtetit.
Për më tepër, z. Isufaj ka qenë pjesëtar i UÇK-së që nga ditët e para të luftës në një zonë mjaft të vështirë – Junik. Kishte qenë edhe pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Pra, ka qenë aty ku kërkohej guximi dhe sakrifica e vërtetë, jo patriot i vonuar dhe fjalaman si disa të sotëm, që e mbulojnë mungesën e veprimit me retorikë të zhurmshme.
Përkundër kësaj, emërimi i tij si Kryeprokuror Shteti u pengua nga dyshja politike: Presidentja Osmani dhe deputeti tanimë i pezulluar nga GJK dhe uzurpuesi i pozitës së kryeministrit, Albin Kurti.
Çfarë na mëson e gjithë kjo?
Na tregon se kjo qeverisje nuk ngurron ta lërë vendin me vite pa institucione thelbësore, nëse ato nuk janë të “nënshtruara”. Ata që refuzojnë diktatin politik, ata që nuk raportojnë në zyrat e partisë, eliminohen. Në vend të ndërtimit të një shteti të drejtë dhe funksional, shohim një tentativë për ta ndërtuar një regjim të kontrollit dhe të frikës.
Është koha që qytetarët ta kuptojnë se këto nuk janë më “gabime politike” – janë zgjidhje të qëllimshme që po na kushtojnë shumë: me demokraci të brishtë, drejtësi të paralizuar, institucione të boshatisura dhe besim të shkatërruar.
Është koha t’ua tregojmë vendin atyre që duan të na kthejnë mbrapa.
Është koha të mos i bëjmë më këto gabime të pafalshme e të zgjedhim — DIKTATURË apo DEMOKRACI