75 Mall Live Search
11:37 / E Diele, 07 Shtator 2025 / Gj Sh

Mungesa të rëndësishme për Barcelonën ndaj Valencias

Barcelona javën e ardhshme do të përballet me Valencias në një nga sfidat kyçe të La Ligas, por Hansi Flick duhet të menaxhojë disa mungesa të rëndësishme në skuadër.

Dy titullarë, Gavi dhe Alejandro Balde, janë konfirmuar si të padisponueshëm, ndërsa në dyshim serioz mbetet edhe mesfushori holandez, Frenkie de Jong, shkruan IndeksOnline.

Skuadra katalanase po kalon një periudhë të vështirë në aspektin fizik, me disa lojtarë kyç të dëmtuar vetëm pak ditë para rikthimit të kampionatit pas pushimit të kombëtareve.

Trajneri Flick tashmë është i detyruar të mendojë për zgjidhje alternative në prag të përballjes ndaj Valencias, që do të zhvillohet më 14 shtator.

Mesfushori spanjoll, Gavi, nuk ka mundur të rikuperohet nga shqetësimet që ka pasur në gju dhe nuk do të ftohet për këtë ndeshje. Stafi mjekësor i klubit nuk dëshiron të rrezikojë rikthimin e tij para kohe, duke qenë se bëhet fjalë për të njëjtin gju që e mbajti jashtë për një kohë të gjatë sezonin e kaluar.

Ndaj Valencias do të mungojë edhe mbrojtësi i majtë, Alejandro Balde. Ai pësoi një tërheqje muskulore në pjesën e pasme të kofshës gjatë stërvitjes dhe tashmë është konfirmuar mungesa e tij.

Ndërsa situata me Frenkie de Jong mbetet e paqartë. Mesfushori u detyrua të largohej nga grumbullimi me Holandën për shkak të një shqetësimi muskulor dhe rikthimi i tij në fushë do të vlerësohet në ditët e fundit para ndeshjes./IndeksOnline/