75 Mall Live Search
12:17 / E Enjte, 29 Korrik 2021 / AR

Mungon avokati dështon seanca për vrasjen që dyshohet se u krye shkaku i borxhit prej 77 mijë eurove

Mungesa e mbrojtësit të të pandehurit Kreshnik Haliti, avokatit Besnik Berisha, ka bërë që në Gjykatën e Pejës të shtyhet rigjykimi ndaj Kreshnik Halitit, i cili ngarkohet për vrasje të rëndë të  shokut të tij, M.Z shkaku i një borxhi prej 77 mijë eurove.

Gjykatësi Murat Hulaj, tha se avokati Berisha e kishte njoftuar përmes parashtresës se në këtë seancë, për shkak të angazhimeve të tij të mëhershme, nuk mund të ishte prezent.

Gjykatësi tha respekton të drejtat e mbrojtjes, mirëpo kërkoi nga i akuzuari Haliti që të njoftojë mbrojtësin e tij që seancat nuk mund të shtyhen në pafundësi dhe herën tjetër avokati i tij të dërgojë zëvendësimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur keni kontakt me avokatin tuaj, t’ia sqaroni dhe njoftoni se seancat nuk mund të shtyhet pafundësisht sepse edhe gjykata ka agjendat e veta”, tha gjykatësi Hulaj.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ishin prezent as dëshmitarët Haxhi Morina, Fadil Vuqetaj, Driton Zekaj dhe Art Muqa dhe mbrojtësi i viktimave.

Në këtë seancë ishte prezent prokurorja e shtetit, Lumturije Vuqetaj dhe mbrojtësi i palës dëmtuar, avokati Gëzim Kollqaku.

Seanca e radhës u caktua me 24 Shtator duke filluar nga ora 13:00 dhe 30 shtator 2021, në ora 10:00.

Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.

Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore  e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin M. Z.

Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri M.Z me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.  Për këtë vepër penale, sipas Kodit Penal të vitit 2013, parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm