Mungon dokumentacioni/ Sekuestrohen 4 676 litra të vajit në Rahovec, flet drejtoresha e Inspektoratit

Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut në Komunën e Rahovecit, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera.
Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj.
Drejtoresha e Inspektoratit në Komunën e Rahovecit, Nora Boshnjaku ka deklaruar se gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullësi, poashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba si dhe masa të tjera administrative.
Ajo tha se në një rast inspektorët komunal të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekononik kanë sekuestruar 4 676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës.
“Për çdo mashtrim që mund të ndodhë gjatë blerjeve e në veçanti për çmime, qytetarët luten të njoftojnë menjëherë Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit në numrin e telefonit 0800 11000 ose në platformën https://konsumatori.rks-gov.net/ DPI gjithashtu fton bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme”, ka thënë ajo.
Organet kompetente – MINT dhe Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore, Doganën dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës – po vëzhgojnë gjendjen dhe po marrin masat e duhura sipas ligjit./IndeksOnline/