75 Mall Live Search
13:21 / E Premte, 08 Nëntor 2024 / k.v

Mungon i akuzuari, shtyhet gjykimi për terrorizëm

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka dështuar të niste gjykimi për terrorizëm ndaj të akuzuarit Kushtrim Hoxha, i cili nuk u paraqit sot në seancë me arsyetimin se, duke qenë nën masën e arrestit shtëpiak, kishte menduar se policia do ta sillte atë.

Kjo është konfirmuar nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri,

“Arsyetimi i tij është që po priste që ta merrte policia pasi që është në masën e arrestit shtëpiak“, tha Beqiri.

Hoxha akuzohet se ka kryer veprat penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste” dhe “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit të rastit, Rrahman Beqiri, gjykata nuk ka obligim, as nuk ekziston detyrim ligjor për ta sjellë të akuzuarin në seancë përmes Policisë.

Po ashtu, Beqiri njoftoi se ishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë ndërmjet Prokurorisë dhe të akuzuarit.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore seanca u shty për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhvilluar hetime penale ndaj të pandehurit Hoxha, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, si dhe pas zhvillimit të hetimeve dhe deklaratave të të pandehurit Hoxha, u vërtetua se ai ka konsumuar elementet e veprës penale “Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hoxha ka kryer veprat penale të përshkruara në dispozitivin e kësaj aktakuze, ku kjo u vërtetua mjaft qartë dhe bindshëm nga provat e bashkangjitura në shkresat e lëndës, siç janë: Kallëzimi Penal, Raporti Njoftues i Policisë së Kosovës, Deklaratat e të Dyshuarve L.M., K.P., B.I., si dhe Raporti Njoftues mbi Implementimin e Kontrollit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, gjatë deklarimit të tij në Policinë e Kosovës si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, në prani të avokatit, ka pohuar se ka qenë në shoqëri me disa nga personat tashmë të dënuar për terrorizëm dhe ka qenë në dijeni për veprimet e tyre që do të ndërmerreshin për sulm terrorist si hakmarrje ndaj luftës në Siri në atë kohë.

Gjatë deklarimit të tij, ai ka thënë kishte pranuar fajësinë dhe ishte penduar.

“Sa i përket veprave penale ‘Përgatitja e veprave penale’ dhe ‘Organizimi në grup terrorist’, ndihem plotësisht i pafajshëm”, kishte deklaruar ai.

Ndërsa për pajisjet e gjetura në shtëpinë e tij, ai kishte deklaruar se nuk i kishte për të kryer ndonjë akt terrorist.

“Arma e konfiskuar nga Policia është armë rekreative me ngjyrë, e blerë në Prishtinë. Dylbia, e cila është blerë, ka qenë pjesë e kësaj arme. Radio-lidhjet kanë qenë pjesë e punës sime, pasi kam qenë si IT. Këto kanë qenë për shitje, ndërsa dronin e kam porositur online shumë kohë më parë, dhe gjithçka ka qenë vetëm për hobi. Gjithashtu, droni, është e rëndësishme të theksohet, nuk është kompletuar apo përdorur ndonjëherë. Paratë kanë qenë të miat, të siguruara nga paga ime. Prandaj edhe një herë deklarohem se për posedimin e tyre nuk kam pasur ndonjë qëllim për të kryer ndonjë akt terrorist”, kishte deklaruar i akuzuari.