Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi në rastin “Kobra”

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Burim Mazreku, ka dështuar të mbahet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj tij, Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra”, si edhe Roland Susurit, Arben Vezajt dhe Jesmir Badallit.
Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtësi i Mazrekut, avokati Gent Gjini tha se nga biseda telefonike, i mbrojturi i tij e ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim.
Më pas, gjykatësi i rastit Kujtim Krasniqi njoftoi se gjykimi nuk mbahet si rezultat i mungesës së Mazrekut, duke njoftuar tutje se pasi që gjykata të marrë raportin mjekësor, do të veprojë bazuar në dispozitat ligjore për të siguruar prezencë e tij në gjykim.
Prezent në këtë gjykim ishin prokurorja speciale: Merita Bina-Rugovë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati, si dhe i akuzuari Hoxha me avokatët, Florent Latifaj dhe Musa Konxheli, Soland Susuri me avokaten Hava Haliti, Arben Vezaj me avokatin Blend Gjini dhe Jesmir Badalli me avokatin Jeton Rekathati.