75 Mall Live Search
11:10 / E Premte, 17 Janar 2025 / k.v

Mungon prokurorja dhe njëri i akuzuar, shtyhet seanca për korrupsion ndaj pesë zyrtarëve të Istogut

Për shkak të mungesës së prokurores Valbona Disha-Haxhosaj dhe të akuzuarit Jashar Blakaj, ka dështuar të mbahej seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë.

Në këtë rast, Jashar Blakaj, Rrustem Gashi, Rexhep Blakaj, Isa Hoxha dhe Besart Dreshaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse prokurorja e rastit Lumturije Vuçetaj është zgjedhur kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Pejë, lënda i ka kaluar prokurores Valbona Disha-Haxhosaj.

Mirëpo, kjo e fundit me anë të parashtresës ka njoftuar kryetarin e trupit gjykues, Shaqë Curri, se nuk mund të marrë pjesë në seancat e caktuara, për shkak të ngarkesës së saj në lëndë tjera.

Ndërsa, i akuzuari Jashar Blakaj, përmes mbrojtëses së tij Dafina Osmanaj, kishte bërë të ditur se i mbrojturi i saj për arsye shëndetësore nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës gjyqësore, e njëjta është dhe të tjerat që ishin planifikuar u anuluan, për të vazhduar në muajin shkurt të këtij viti.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 7 shtator 2022, po i ngarkon Jashar Blakajn, Rrustem Gashin, Rexhep Blakajn, Isa Hoxhën dhe Besart Dreshajn, për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Konflikt interesi” si dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. E akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Elfete Blakaj, por ndaj saj ishte veçuar lënda dhe e njëjta është liruar nga akuza.