Mungon sërish njëri i akuzuar, shtyhet seanca për fajdet, shpërlarje parash e vepra të tjera penale
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të të akuzuarit Naim Sahiti, ka dështuar sërish të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor të hënën, ku bashkë Naim Sahitin po akuzohen edhe Ariton Sahiti, Begzat Sahiti, Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu, për fajde, shpërlarje parash e vepra tjera penale.
Sipas aktakuzës, Naim e Artion Sahiti akuzohen për “Fajde”, “Shpëlarje parash” e “Kanosje”, Begzat Sahiti akuzohet për “Shpëlarje parash”, kurse Shkëlzen Sahiti dhe Jeton Fetahu akuzohen për “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi njoftoi se mbrojtësi i të akuzuarit Sahiti, avokati Ymer Huruglica i ka prezantuar Gjykatës dokumentacion mjekësor me të cilin tregohet se i akuzuari gjendet në pushim mjekësor.
Gjyqtari Krasniqi njoftoi se për të njëjtën arsye edhe dy seancat paraprake ishin anuluar, andaj kërkoi mendimin e palëve që ndaj të akuzuarit Sahiti të veçohet procedura penale.
Prokurorja speciale, Florije Shamolli kundërshtoi veçimin e procedurës ndaj të akuzuarit Sahiti, me arsyetimin se dëshmitarët e njëjtë duhet të dëgjohen në të dy fazat dhe është maltretim për ata dëshmitarë.
Propozimin e prokurores e përkrahën edhe palët tjera, andaj trupi gjykues mori aktvendim me të cilin konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti akuzohen se nga viti 2020 deri në vitin 2022 në Gjilan, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, në bashkëkryerje kanë kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (fajdesë), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dmëtuarit A.M. nga Gjilanii.
Aktakuza thotë që në fillim të vitit 2020, ia kanë dhënë shumën në vlerë prej 20 mijë euro, nga këto të pandehurit që për një muaj t’i llogaritet 20% interes apo 4 mijë euro dhe pasi nuk ka qenë në gjendje t’ua paguajë këtë shumë, pas 4 muajve ia kanë dhënë edhe shumën prej 30 mijë euro me të njëjtin interes, në vlerë prej 20% apo 6 mijë euro, e i cili interes në vlerë prej 10 mijë euro, ka vazhduar për disa muaj, ku për këtë shumë është detyruar që 5 mijë euro euro në muaj t’ia transferojnë përmes llogarisë bankare në formë të pagës dhe për një vit rresht deri në fillim të vitit 2022.
Kjo gjendje, aktakuza thotë se ka vazhduar derisa interesi është bërë 16 mijë e 800 euro në muaj, e të cilën shumë e ka paguar vetëm një muaj. Përveç, shumës së parave në emër të borxhit i cili ka rrjedhë nga fajdeja, të pandehurit nga i dëmtuari kanë marrë edhe paluajtshmëri dhe atë tri shtëpia në vlerë prej 175 mijë euro, një banesë 60 mijë euro, si dhe dy vetura në vlerë prej 39 mijë euro, e që njërën veturë e kanë marrë nga personi F.B., ku dëmi total për të dëmtuarin A.M., nga shumat e parave, pronave të paluajtshme dhe të luajtshme arrin shumën prej 366 mjë euro, ku një pjesë e paluajtshmërive apo dy shtëpitë e tij i janë kthyer pas fillimit të procedurës në vlerës prej 115 mijë euro dhe dëmi i mbetur tani është 251 mijë euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se nga viti 2020 deri në vitin 2022, në Gjilan edhe në Zvicër, në vazhdimësi e me dashje, të pandehurit në këmbim të shërbimit (fajdesë), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.B., që në fillim të vitit 2020, ia kanë dhënë shumën në vlerë prej 20 mijë franga (chf), më pas shumën prej 16 mijë franga, më vonë edhe shumat prej 20 mijë e 10 mijë franga, ku totali i shumës së parave të marra ka qenë 66 mijë franga, e për të cilat para në fund të vitit 2020 ka paguar shumën prej 100 mijë, ndërsa në pjesën tjetër për të njëjtën shumë ka paguar rreth 20 mijë franga kamatë mujore për 13 muaj. Borxhi në total në emër të fajdesë për të dëmtuarin F.B., arrin shumën prej 360 mijë franga, i cili dëm ka ardhur si rezultat i marrëveshjes që në fund të paguhet shuma prej 75 mijë franga.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3, lidhur me par.1 dhe me nenin 77 dhe 31 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, nga koha e papërcaktuar e deri më 31 gusht 2022, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, duke e ditur se pasuria e përfituar gjatë kësaj kohe si dhe shumat e parave kanë rrjedhë nga aktiviteti i tyre kriminal, pasuri e cila është fituar nga veprat penale të fajdesë, kanë përpiluar kontrata fiktive të shtiblerjes së pronave, marrëveshje kinse për kthim të borxhit, barjten e pronave në emër të personave të tretë, e të cilat veprime janë ndërmarrë me qëllim që pasuria e krijuar të duket se është rezultat i burimit të rregullt të pasurisë.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit kanë marrë gjithashtu veprime duke transferuar mjete në llogari të palëve të treta, ku ata më vonë kanë lidhë kontrata në banka si marrëveshje mbi depozitat me afat, shuma të tjera nga shitblerjet e pronave, ku këto shuma të të ardhurave të tyre të shitblerjes së paluajtshmërive nuk e arsyetojnë shumën e transaksioneve të bëra, shumë kjo rreth 2 milionë e 971 mijë euro si dhe 16 parcelave, me vendim të gjykatës është ngrirë me urdhër ndalues afatgjatë.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parasë”, nga neni 302, par.1 dhe nga neni 31 i Kodit Penal, lidhur me nenin 56 të Ligjit nr. 05/L-096, për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Sipas aktakuzës, më 31 gusht 2022, të pandehurit Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti, kanë kanosur seriozisht të dëmtuarit A.M., dhe E.M., duke iu kërkuar “që ta lirojnë shtëpinë deri në ora 12:00 ose ka të qu në ajër”, e që kjo kanojse ka ardhur si rezultat i veprës tjetër penale të fajdesë, ku e njëjta shtëpi iu është dhënë të pandehuve për të paguar interesin e shumave të mëdha të parave e që janë marrë me fajde, ku me këto veprime të pandehurit kanë krijuar pasiguri për jetën dhe pasurinë e të dëmtuarit dhe familjarëve të tij.
Më këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, par.4 lidhur me par.1 dhe me nenin 31 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, Begzat Sahiti akuzohet se në vitin 2022 me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për të tjerët, sidomos për Naim Sahitin dhe Ariton Sahitin, iu ka ndihmuar, duke e ditur se pasurisë e përfituar gjatë kësaj kohë si dhe shumat e parave kanë rrjedhë nga aktiviteti i tyrre kriminal, pasuri e cila është fituar me veprat penale të fajdesë, ka përpiluar kontratë fiktive të shitblerjes së pronës- të një shtëpie, duke e bartur në emrin e tij, me qëllim që pasuria e krijuar të duket se është rezultat i burimit të rregullt të pasurisë, ku i pandehuri ka marrë gjithashtu veprime duke transferuar mjete në llogari të palëve tani të dëmtuara.
Me këtë, akuzohet se ka kryer vperën penale “Shpëlarja e parasë”, në ndihmë, nga neni 302, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal dhe me nenin 56 të Ligjit nr.05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorzimit.
Në aktakuzë thuhet se Shkëlzen Sahtit akuzohet se më 31 gusht 2022, në kohë të pacaktuar në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të nxitjes së frikës tek i dëmtuari A.M., që të përmbahet nga dhënia e deklaratës, të ndryshojë të njëjtën apo të mos japë informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë lidhur me rastin e të pandehurve Naim Sahiti dhe Ariton Sahiti të paraburgosur për shkak të veprës penale “Fajdeja”, ka kanosur seriozisht të dëmtuarit.
Aktakuza thotë se i akuzuari Shkëlzen përmes llogarisë në Facebook me emrin “Xeni Trans” e kanos me fjalët “o m… qa ki bo, ku po takohemi se po më vyen edhe nanes tande hargj i ka qu, ti ka largu brogjlit prej shpisë marre”, pastaj me qëllim të ndikimit të drejtpërdrejtë përpiqet që të vendos një takim me të, duke i kërkuar të takohen se kinse do të shkojë me babain e tij, ndërs apërmes thirrjeve në MSN të Facebook-ut, e kanos me fjalët “unë e kam djalë të axhës atë, kujdes se unë e daj të mirën dhe të keqen me ta”, e po ashtu edhe gruan e vëllait të të dëmtuarit e përcjellë me veturë, kështu tek i dëmtuari ka nxitur frikë, ankth dhe pasiguri.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, par.2 i Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, Jeton Fetahu akuzohet se më 15 janar 2023 në kohë të pacaktuar në Gjilan, me dashje dhe me qëllim të nxitjes se frikës tek i dëmtuari A.M., që që të përmbahet nga dhënia e deklaratës, të ndryshojë të njëjtën apo të mos japë informacione të vërteta pranë organeve të drejtësisë lidhur me rastin e të pandehurve Naim Sahiti, Ariton Sahiti, Begzat Sahiti dhe Shkëlzen Sahiti, për shkak të veprave penale të fajdesë, detyrimit, kanosjes, pengimit të provuarit apo procedurës zyrtare dhe pastrimit të parave, ka kanosur seriozisht të dëmtuarin përmes llogarisë në Facebook me emrin “Toni Toni”, duke ia shkruar fjalët “O me gru e me krejt qa i ki ko me ti .. ne …që Tonin e Naimin i ke shti në burg, me ty e me Erollin e me familje ko me ti vra”, andaj tek i dëmtuari ka nxitur frikë, ankth dhe pasiguri.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” nga neni 386, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

