10:36 / E Hënë, 27 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Murat Jashari flet për festën e flamurit dhe ditëlindjen e heroit Adem Jashari (Video)

Për rëndësinë e 28 Nëntorit flet për “Zërin” nipi i komandantit legjendar të UÇK-së, Murat Jashari, i cili është djali i Rifat Jasharit.

Murati sqaron se 18 vjet pas përfundimit të luftës në vend 28 nëntori vazhdon të mbetet dita më e rëndësishme historike dhe arsyeja më e madhe për të festuar shqiptarët.

“Nëntori na sjell një mori ngjarjesh e në të gjitha këto ngjarje ka trimëri, ka guxim, ka besim, ka intelektualizëm. Po të mos ishin rilindësit tanë për t’i ngritur vlerat e Skënderbeut për gjenerata të tëra, 28 Nëntori nuk do të ishte i tillë, prandaj janë meritorë për lirinë tonë që e gëzojmë sot. Nëntori na sjell krenari, gëzim, sakrificë, shpresë dhe besim”, ka thënë Jashari.

Murat Jashari bën të ditur se para rënies komandanti Adem Jashari e ka festuar çdoherë ditëlindjen e tij.

“Ai çdoherë ka besuar në lirinë e vendit, sikur të mos kishte besuar në këtë nuk do të kishte bërë gjithë këtë sakrificë”, shprehet Murati, duke shtuar se në atë kohë ditëlindja e Adem Jasharit festohej në rrethin e ngushtë familjar, ku merrnin pjesë motrat dhe hallat e komandantit legjendar të UÇK-së, ku ky i fundit, sipas Muratit, në ditëlindjen e tij vishej me veshje kombëtare.

“Ka pasur raste kur ditëlindjen e tij e kemi festuar vetëm në familjen e ngushtë, por ka pasur edhe raste, sidomos pas ditëve të ndryshimeve e deri në vitet 1987-88, po më tepër kanë qenë festime familjare, familje e ngushtë, hallat, motrat. Pas viteve të ndryshimeve ku ngjarjet filluan të marrin një kahe tjetër, pas këtyre ndryshimeve ka hyrë edhe rrethi shoqëror ku është festuar ditëlindja dhe u kënduan këngë, ka pasur edhe ahengje të ndryshme. Në familjen tonë si pjesë e pandashme ka qenë çdoherë edhe kënga, edhe vallëzimi”, rrëfen Jashari.