14:42 / E Hënë, 22 Maj 2023 / mp

Murati, fajëson opozitën për bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

hekuran murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka fajësuar opozitën për bllokimin e Kuvendit tash e disa muaj. Murati ka thënë se si pasojë e këtij bllokimi, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk po arrin të bëhet për shkak se nevojiten 80 vota.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që “të heqin dorë nga inatet politike” dhe të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat sipas tij, do të hapin rrugë për realizimin e projekteve të rëndësishme.

“Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare.  Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes. Konkretisht, projekti parasheh shtimin e kapacitetit gjenerues të Termokosit për edhe 30 MË gjenerim shtesë, si dhe zgjerim të rrjetit të ngrohjes edhe për lagjet Arbëri, Tophane, Mat, e Qendër. Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, dhe shumicën e financimit si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane. Kundërshtimi i këtij projekti nga opozita, është përtej çdo logjike”, ka shkruar ai në Facebook.