Murati: Albulena Haxhiu është kandidatura më e denjë, shkuarja në zgjedhje opsion i fundit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka folur për gazetarët lidhur me situatën aktuale politike dhe procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Ai theksoi se kandidatura e Albulena Haxhiut është më e denja dhe se bllokada institucionale duhet të tejkalohet sa më parë.
“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, gruaja më e votuar në këto zgjedhje. Ajo është një kandidaturë dinjitoze dhe përfaqësuese për kuvendin. Pyesni partitë e tjera për qëndrimet e tyre në lidhje me këtë”, tha Murati, transmeton IndeksOnline.
Ai shtoi se votimi është një proces i pavarur për secilin deputet.
“Të gjithë deputetët duhet të jenë në sallë dhe të marrin pjesë në votim. Secili deputet ka vullnet të lirë për të votuar pro, kundër apo të abstenojë”, shtoi ai.
Murati përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve të reja si opsion të preferuar, por nuk e përjashtoi si mundësi të pashmangshme nëse Kuvendi mbetet i bllokuar.
“Shkuarja në zgjedhje është skenari i fundit. Edhe për të shkuar në zgjedhje duhen 80 vota. Ne jemi të interesuar të formojmë institucionet, sepse procesi zgjedhor ka sjellë këtë rezultat. Nëse kuvendi e pamundëson këtë, atëherë zgjedhjet bëhen të pashmangshme”.
Ai gjithashtu konfirmoi mbajtjen e një takimi konsultativ të ftuar nga kryesuesi Avni Dehari.
“Ishte një takim për të tentuar arritjen e një konsensusi që të ecim përpara drejt konstituimit të kuvendit. Qëndrimet që pamë ishin deklarative, se të gjithë janë për konstituim, por në praktikë pamë që opozita ishte ajo që e bllokoi procesin”.
Sipas tij, kërkesa që subjekti fitues të sigurojë paraprakisht votat për kryetarin e kuvendit është e pabazë.
“Është absurde të kërkohet garanci për vota para se të procedohet. Prandaj nevojitet konsensus i gjerë për të dalë nga kjo bllokadë”, përfundoi Murati.