Murati arsyetohet për numrin e ministrave: Në të kaluarën ishin bërë që të akomodoheshin koalicione të gjera
Ndonëse vetë kishin qenë kritik për një numër të madh të ministrive, por Lëvizjes Vetëvendosje tani po iu duken tamam, e që për këtë ministri i Financave, Hekuran Murati e argumentoi se kritikat i kishin meqë në të kaluarën numri më i madh i ministrive bëhej vetëm si nevojë për të akomoduar koalicionet e gjera.
E në këtë kohë, Murati në konferencë për media pas mbledhjes së parë të qeverisë së re, tha se po bëhet për të pasë më shumë efikasitet në trajtimin e çështjeve.
“Sa i përket numrit të ministrive, edhe kritika edhe argumenti ka qenë që të mos bëhen sa për të akomoduar koalicionet e gjera që bëheshin në të kaluarën. Kishte ministri që kishte 7 zëvendësministra, 5 zëvendësministra, ndoshta jo aq të nevojshme, por ishin bërë që të akomodoheshin koalicione të gjera. Po në rastin tonë nuk është kjo nevojë që të bëhet koalicion i gjerë, sepse kemi shumicën e nevojshme, siç e patë dhe dje. Megjithatë është parë në mandatin e kaluar që në disa raste nuk është arritur sinergjia që ishte synuar. Ka pasur raste, meqenëse ministria apo dikasteri ka qenë fushëveprim i gjerë, ndoshta nuk është arritur efikasiteti i nevojshëm i cili ishte synuar qysh në fillim të mandatit. Prandaj, është paraparë të ketë një riorganizim, ta zëmë te Ministria e Punëve të Brendshme me Administratën Publike te digjitalizimi, të ketë një ndarje prej bashkimit që ishte bërë më herët, në mënyrë që të ketë efikasitet të shtuar në të dyja fushëveprimet e të mos bëhet njëra në favorizim të tjetrës”, tha ai.

