22:43 / E Hënë, 21 Nëntor 2022 / AR

Murati: E vetmja qasje e drejtë është bisedime politike, me reciprocitetin në qendër

Valon Murati – kryetar i Lëvizjes për Bashkim ka dalë me një qëndrim për situatën e krijuar, pasi Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për targat në Bruksel.

Ai thotë se “e vetmja qasje e drejtë është bisedime politike, me reciprocitetin në qendër: çfarëdo që ofrohet dhe kërkohet për veriun e vendit, të ofrohet dhe kërkohet për Kosovën Lindore”.

Postimi i plotë:

E vetmja qasje e drejtë është bisedime politike, me reciprocitetin në qendër: çfarëdo që ofrohet dhe kërkohet për veriun e vendit, të ofrohet dhe kërkohet për Kosovën Lindore.

Politika jonë, qeveritë, kryeministrat, e mbi të gjitha ky i tanishmi, do të vazhdojnë të prodhojnë drama të tilla politike në veriun e vendit, tensione të panevojshme me partnerët ndërkombëtarë, konflikte me njëri-tjetrin deri sa të heqin dorë nga politikat populiste, që votën dhe zgjedhjet e ardhshme i kanë cak. Ata do të shpikin përherë kauza, të tipit të këtyre të targave, që në pamje të parë duken parimore, e të cilat qytetarët nga mjegulla e madhe që u shitet e kanë vështirë t’i identifikojnë si politika populiste. Nëse do të kishin heq dorë nga politikat e tilla, do ta kuptonin (e jam i bindur se e dinë, çka e bënë përgjegjësinë e tyre edhe më të madhe) se problemet e veriut të vendit nuk janë ato të vendosjes së sundimit të ligjit, as të sigurisë, as të targave, por janë probleme të thella politike. Të parat janë produkte të drejtpërdrejta të kontekstit kompleks politik në veri, si pjesë e pazgjidhur e raporteve me Serbinë. Andaj me guxim e vizion politik do të duhej synohej zgjidhja e problemit të veriut. Por si e kemi thënë sa e sa herë si Lëvizje për Bashkim, nuk ka zgjidhje të veriut, e as ikje nga asociacioni duke shpikur kauza dhe konflikte të panevojshme me partnerët ndërkombëtarë. E vetmja qasje e drejtë është bisedime politike, me reciprocitetin në qendër: çfarëdo që ofrohet dhe kërkohet për veriun e vendit, të ofrohet dhe kërkohet për Kosovën Lindore. E ky reciprocitet, duhet të përfundojë në zgjidhjen e vetme të drejtë të konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht konfliktit shqiptaro-serb – ripërcaktimit të kufijve.