75 Mall Live Search
15:26 / E Enjte, 30 Tetor 2025 / MSH

Murati flet për rritjen e pagës minimale me sindikatat e punonjësve privatë dhe odat ekonomike

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar mbi takimin e përfaqësuesit e sindikatave të punonjësve nga sektori privat, si dhe përfaqësuesit e odave ekonomike.

Takimi konsultativ u mbajt për të diskutuar rreth rritjes së pagës minimale, shkruan IndeksOnline.

Me këtë rast, Murati thotë se dëgjoi propozimet e përfaqësuesve të sindikatave, duke thënë se paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm.

“…Rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve.

Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit” u shpreh Murati.

Ai shtoi se nga takimi doli i informuar dhe do t’i ketë parasysh të gjitha rekomandimet.

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot bashkë me përfaqësues të sindikatave të punonjësve nga sektori privat si dhe me përfaqësues të odave ekonomike mbajtëm një takim konsultues në kuadër të dialogut social për rritjen e pagës minimale.

Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e poashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar.

Paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira.

Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve.

Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit.

Nga takimi dola më i informuar, dhe patjetër që do ti kem parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri.

I falenderoj të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmueshëm në këtë bashkëbisedim.