Murati i reagon Ramës: Sa plason akuza të pavërteta, kërkoji LDK-së të votojë për konstituim të kuvendit

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi më herët qeverinë, për bllokim të buxhetit të Kryeqytetit.
Sipas Muratit, buxehti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më se voni deri më 30 shtator, që më pas të mund të bëhet pjesë e Ligjit të buxhetit, që në kuvend dërgohet më së voni deri më 31 tetor, shkruan IndeksOnline.
“Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor.
Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratuar projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore” shkroi Murati.
Murati e ka akuzuar Ramën për plasim të akuzave të pavërteta, e që në vend të kësaj është më mirë t’i kërkojë LDK-së që të votojë për konstituim të kuvendit.
Me një kuvend të konstituuar, Murati thotë se pastaj mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Ky është postimi i plotë i Muratit:
Përparim Rama përsëri paska rrejtë kur ka akuzu Qeverinë si bllokuese të buxhetit të Komunës së Prishtinës
Cila është e vërteta?
Buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor.
Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor.
Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratur projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore.
Kjo vonesë nënkupton që për të hyrë në fuqi projekt-buxheti komunal, nevojitet një ndryshim/plotësim i Ligjit të Buxhetit nga ana e Kuvendit.
Siç e dini, Kuvendi tash e sa muaj po mbahet i bllokuar nga opozita që po e shkel Kushtetutën duke mos votuar.
Tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjedhet Qeveria e Re, mund të inicohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit, ashtu që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës.