75 Mall Live Search
22:20 / E Hënë, 03 Gusht 2020 / indeksADMonline

Murati i VV-së për 170 eurot e Qeverisë: Kërkesa u miratua, por qytetarët nuk panë asgjë!

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje si anëtar i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, përmes një postimi të bërë në FB ka thënë se dështimet nga mospuna e qeverisë nuk mund t’i faturohen Kuvendit. Punët i kemi të ndara këtu, me Kushtetutë.

“Para se t’u tregojë deputetëve se si ta kryejnë punën e tyre, qeveria jo-legjitime bën mirë t’i kryejë detyrat e veta karshi qytetarëve.

Qe dy muaj rresht vetëm ankesa ndaj Kuvendit e ndaj qytetarëve kemi dëgjuar.

Kur e morrën pushtetin, thanë se Kosova i fitoi 250 milionë dollarë grant për shkak të tyre – por qytetarët nuk i panë kurrë ato miliona.

Njëherë thanë që po u duhet t’u miratohet tejkalimi i deficitit që t’ua paguajnë punëtorëve pagesën e dytë prej 170 euro – Kërkesa u miratua, por qytetarët nuk panë asgjë.

Pastaj thanë që po u duhet t’ua miratojmë marrëveshjet ndërkombëtare për kredi që t’u ndihmohet qytetarëve në pandemi – kreditë u miratuan, por qytetarët nuk panë asgjë.

Pastaj thanë që duhet t’ua miratojmë rishikimin e buxhetit që t’i paguajnë 170 euro. Rishikimi u miratua, por koalicioni qeverisës votoi kundër amandamentit që kërkonte që mjetet për pagesën e 170 euro të buxhetohen në shumë prej 80 milionë euro – qytetarët vazhdojnë të presin”, shkruan ai.

Deputeti i VV-së, tutje shton se me këtë ritëm, nuk është çudi nëse fillojnë të kërkojnë që edhe buxhetin e vitit 2021 t’ua miratojmë në emër të pagesës prej 170 euro e cila kurrë nuk po kryhet.

“Dhe në tërë këtë tregim, kulmi është kur dikush që e ka mbajtur të bllokuar Ligjin Anti Covid me muaj të tërë për shkak të inateve politike, tash thirret në interesat e qytetarëve”, përfundon Murati./Indeksonline