Murati: Kushtetuta jo rastësisht e parasheh edhe mundësinë e mandatarit të dytë për formim të qeverisë, në rast se dështon i pari
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Kushtetuta e parasheh mundësinë e mandatarit të dytë për të formuar Qeverinë në rast se dështon i pari.
“Kushtetuta jo rastësisht e parasheh edhe mundësinë e mandatarit të dytë për formim të qeverisë, në rast se dështon i pari. Madje mënyra se si është e shkruar Kushtetuta, pothuajse nuk jep hapësirë që të mos ketë mandatar të dytë. Pra vendi shkon në zgjedhje pa e tentuar herën e dytë, vetëm nëse asnjë subjekt nuk është i interesuar për tentativën e dytë. Sepse synimi është që të shfrytëzohet çdo mundësi për formim të qeverisë para se vendi të dërgohet përsëri në zgjedhje. Dhe ngjashëm sikurse mandatari i parë, edhe i dyti, sipas Kushtetutës i ka 15 ditë kohë për të siguruar shumicën e nevojshme”, ka shkruar Murati.
Ai ka nënvizuar se vendimi për mandatar të dytë është ne diskrecion të Presidentes.
“Vendimi për mandatar të dytë është në diskrecion të Presidentes, e cila mandaton personin që ka GJASAT MË TË MËDHA për të formuar qeverinë”, thuhet në shkrimin e Muratit.

