23:34 / E Mërkurë, 25 Nëntor 2020 / A K

Murati (LB): Ata që në mënyrë populiste i kërkuan votat për bashkimin me Shqipërinë duhet të tregojnë se si mund të bëhet?

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim Valon Murati, ka folur për konceptin e ripërcaktimit të kufijve.

Murati tha se ky koncept është i ndryshëm me atë të shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve.

Ai në emisionin Rubikon në Klan Kosova tha se ripërcaktimi i kufijve është një e drejtë që ia mundëson bashkimin e popujve ku kanë vazhdimësi territoriale.

“Të gjithë ata që e dinë ne si Lëvizje për Bashkim e kemi një platformë që nga viti 2010, të cilën e kemi publikuar, e kemi shpërndarë, e kemi diskutuar shpeshherë edhe në Rubikon edhe para se të hapej nga z.Thaçi”.

“Kjo ka qenë e shkruar si platformë në vitin 2010, ndërsa ne si qëndrim e kemi nga viti 2007-2008, e kemi të elaboruar si koncept.Ne kemi qenë radikalë. Nuk i kemi thënë asnjëherë shkëmbim i territoreve e ndarje jo se jo. Ne e kemi konsideruar se këto janë terminologji të gabuara për këtë koncept”.

“Por, kështu në opinion dhezën dhe kështu e morën dhenë dhe është e vështirë që kjo të luftohet. Nganjëherë e gjej edhe vetën duke i thenë shkëmbim i territoreve. Ne ishim dhe vazhdojmë me besu në ripërcaktimin e kufijve duke u bazuar në vullnetin e popujve shqiptarë dhe serbë. Aty ku ka shumicë shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën dhe në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë”.

Sipas tij dallimi mes konceptit të Lëvizjes për Bashkim të ripërcaktimit të kufijve  dhe shkëmbimit të territoreve është populli i cili nuk merret parasysh tek kjo e dyta.

“Po sepse shkëmbimi i territoreve mund të mos e marrë parasysh popullatën. Shkëmbimi i territoreve mund të jetë i rëndësishëm për arsye politike, strategjike, për arsye të pasurisë dhe ti mund ta shkëmbesh pa e marrë parasysh popullin”.

“Ndërsa ne e kemi resurs njeriun. Pra, aty ku ka shqiptarë dhe kanë vazhdimësi natyrore me Kosovën të kenë të drejtë të bashkohen edhe kjo e njëjta të vlejë edhe për serbët .Kjo e rrëzon Kosovën Ahtisaariane, kundër së cilës kemi qenë gjithmonë. Ne jemi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë”.

“Dhe ne deri tek ky koncept kemi ardhur duke analizuar si mund ta ndërrojmë Kushtetutën e Kosovës. Dhe Kushtetuta e Kosovës për të gjithë ata që kanë folur me popullizëm për bashkimin kombëtar duhet ta dinë se nuk mund të ndryshohet pa votën e serbëve”.

Valon Murati thekson se me zhvillimin e këtij koncepti mundësohet edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje e cila ka proklamuar bashkimin kombëtar kanë bërë veprime populiste, duke i mashtruar njerëzit.

Ai shtoi se Vetëvendosje duhet të tregonte se si bëhet kjo?

“Ne e kemi një Kushtetutë që e ndalon bashkimin. Dhe ndryshimi nënkupton edhe 2/3 e votave nga serbët. Pra, subjekte të caktuara kanë thënë se si të fitojmë zgjedhjet e qesim në referendum. Por, nuk mundesh ta qet në referendum”.

“Kemi ardhur në përfundim që për ta ndryshuar Kushtetutën nevojitet marrëveshje e re me Serbinë. Përmes marrëveshjes e ndërron Kushtetutën edhe binë bazat e Pakos në këto pika. Ai që thotë jam për bashkimin Kosovës me Shqipërinë duhet të tregoj se si? Siç në mënyrë populliste i kanë kërkuar votat, edhe i kanë mashtruar njerëzit.  Do ta zhvillojmë ekonominë në 7 për qind, do ta përmirësojmë mjekësinë si ? Si bëhet kjo ?”.

“Ata që janë për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, qoftë në bashkim klasik qoftë me federatë apo union, apo edhe ata që janë për Kosovën e pavarur dhe sovrane pa bashkim, nuk mundet pa e ndryshuar Kushtetutën. Nuk mundet që 5 për qind e popullsisë të ndalojnë ndryshimin e saj edhe nëse një presje është gabim. Është absurde. Ne duhet ti mbajmë të gjitha të drejtat politike, gjuhësore etj”.

Numri një i Lëvizjes për Bashkim tha se ripërcaktimi i kufirit zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Serbinë.