Murati: Marrëveshja me Bankën Botërore siguron 90.3 milionë euro kredi me kushte të buta pa interes

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas mbledhjes së qeverisë në një konferencë për media ka thënë se Kosova ka përfituar nga një marrëveshje që siguron 90.3 milionë euro kredi me kushte të buta. Nuk ka nevojë që të paguajë fare interes për 12 vjet përgjatë kohës që këto mjete do të shfrytëzohen, raporton EO-ja.
“Sot në mbledhjen e qeverisë kemi pasur disa vendime që ndihmojnë qytetarët dhe që forcojnë edhe themelet dhe duke rritur bashkëpunimin me shtet e tjera. Kishim miratimin e nismës për nisjen e negociatave për lidhje të marrëveshjes me Turqinë. Kishim edhe miratimin dhe procedimin e Projektligjit për ratifikim të marrëveshjes që sapo kemi nënshkruar në Washington. Kjo është një marrëveshje që është nënshkruar me Bankën Botërore. Kosova ka përfituar nga një marrëveshje që siguron 90.3 milionë euro kredi me kushte të buta. Nuk ka nevojë që të paguajë fare interes për 12 vjet përgjatë kohës që këto mjete do të shfrytëzohen. Kishim edhe një marrëveshje ndërkombëtare. Kjo marrëveshje është në kuadër të Marrëveshjes që kemi pasur me Bankën Botërore. Masat ndaj Kosovës duhet të hiqen”,ka thënë Murati në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë.