Murati: PDK-ja dhe LDK-ja po e lënë RTK-në pa paga
Pas paralajmërimit të Sindikatës së Pavarur të RTK-së dhe Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës për grevë për shkak të vonesave në transferimin e buxhetit, ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Murati përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja po refuzojnë të krijojnë komisionet parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në.
”Krejt çfarë duhet për ekzekutim të buxhetit për RTK-në është vendimi i Komisionit parlamentar për buxhet. Me atë vendim, Thesari i shtetit brenda ditës e ekzekuton transferin e mjeteve, siç edhe e bën çdo herë. Mirëpo PDK-ja dhe LDK-ja po refuzojnë të krijojnë komisionet parlamentare, e rrjedhimisht po i lënë pa buxhet RTK-në, komunat të Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin-Potokut, siç dhe po rrezikojnë miratimin e buxhetit për vitin 2026”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron.
‘’Argumenti se komisionet parlamentare nuk mund të formohen sepse ende nuk dihet kush është pozitë dhe kush opozitë, nuk qëndron. Kuvendi mund të formojë fillimisht vetëm komisionet e përhershme: për buxhet, për legjislacion, për integrim evropian, dhe për të drejtat e komuniteteve. Këto komisione do të mjaftonin që të shqyrtoheshin të gjitha çështjet emergjente si buxheti dhe plani i rritjes i BE-së. Kurse komisionet e tjera, të cilat me formulë i takojnë opozitës, por edhe ato që mbikëqyrin dikastere përkatëse të ekzekutivit, mund të formohen kur të ketë qeveri fuqiplotë dhe të dihet kush është pozita e kush opozita’’, ka shtuar më tej Murati.

