16:57 / E Premte, 01 Korrik 2022 / MSH

Murati: Shkrimet ishin nga mllefi, i përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtarëve!

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas akuzave dhe kërkesave për shkarkimin e tij, lidhur me deklaratën që kishte bërë në vitin 2016, për veteranët dhe luftën e UÇK-së.

Ministri Murati ka kërkuar falje për shkrimin e tij, duke thënë se e ka bërë nën afekt.

“E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre” ka shkruar Murati.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

I përulem sakrificës së secilit dëshmor e kontributit të secilit ushtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky është qëndrimi im.

Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve.

E pranoj që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar, prandaj ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.