11:50 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / LB

Murati tregon se ku do të merren paratë për subvencionimin e rrymës

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se 75 milionë eurot për subvencionim të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset do të merret nga hapësirat (kontigjenca) që i kanë lënë në hartimin e buxhetit për vitit 2022.

Në një konferencë për medie, pas mbledhjes së qeverisë, Murati foli edhe për qëndrimin e ZRrE-së që në veri të vendit mos të ngritet çmimi i energjisë elektrike.

“Jemi duke punuar që problemet që s’kanë gjetur zgjidhje 20 vitet e fundit të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu foli për miratimin e strategjisë për dhunën në familje.

“Strategjia adreson parandalimin dhe identifikimin e dhunën në familje. Kjo strategji nuk duhet ta ketë fatin e strategjive të tjera që kanë mbetur në sirtarë. Ne do të bejmë monitorimin e zbatimit të saj dhe besojmë se do të ketë ndryshime për së mbari”.