Murati u kërkon deputetëve ta lënë anash inatin politik e ta votojnë buxhetin për 3 komuna
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë buxhetin për Komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.
“Thirrje deputetëve që ta votojnë buxhetin e vitit 2025 për Komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut. Tash që Kuvendi i Kosovës është i konstituuar, deputetët mund ta miratojnë edhe buxhetin e vitit 2025 për Komunat e Prishtinës, Gjilanit, dhe Zubin Potokut, dhe të krijohet mundësia që komunat të paguajë faturat e grumbulluara si pasojë e mungesës së buxhetit. Qeveria dje ia ka përcjellë Kuvendit të konstituuar materialin buxhetor të vitit 2025 për tri komuna që s’kishin arritur ta votonin buxhetin për vitin 2025 brenda afatit ligjor (Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku). Përmes procedurës së përshpejtuar prej 72 orësh, Kuvendi i Kosovës mund t’i miratojë buxhetet e këtyre komunave për vitin 2025 dhe të hapet rruga për pagesën e faturave që janë grumbulluar qysh javën që vjen”, ka shkruar Murati.
Ai ka bërë thirrje që deputetët e opozitës ta lënë anash inatin politik.
“Uroj që deputetët e opozitës të lënë anash inatin politik e të bëjnë veprimin e duhur, fillimisht duke themeluar komisionet parlamentare, e pastaj edhe duke votuar për buxhetet e këtyre komunave”, ka shkruar Murati në “facebook”.

