16:36 / E Hënë, 17 Qershor 2019 / indeksADMonline

Muriqi në udhëkryq, skuadra e tij nuk i pranon ofertat me çmime të ulta

E ardhmja e Vedat Muriqit pritet të definohet shumë shpejt. Kjo pasi që edhe skuadra e tij Rizespor është e interesuar që ta shes sulmuesin kosovar por këtë do ta bëj vetëm nëse të interesuarit japin çmimin e duhur për të.

Presidenti i Rizesporit, Hasan Kartal ka konfirmuar se në adresë të klubit turk kanë arritur dy oferta zyrtare.

“Përpos Fenerbahçes dhe Galatasarayt, nuk ka arritur ndonjë ofertë tjetër për Muriqin”, ka thënë kreu i klubit nga Superliga turke për TRT Sports.

“Oferta e Galatasarayt është 3 milionë euro, ndërsa oferta e Fenerbahçes nuk ka ndryshuar ende: 2,3 milionë euro për ta dhënë një lojtar si Vedati nuk është e mundshme. Për momentin gjërat qëndrojnë kështu. Kur t’i skadojë kontrata, ai do të jetë i lirë të shkojë”, përfundoi Kartal.

Rizespori ndërkohë i kërkon 10 milionë euro për futbollistin e ekipit kombëtar të Kosovës.