16:58 / E Diele, 02 Tetor 2022 / AR

Musliu: Gratë e mërgatës në mbështetje të Kosovës dhe të PDK-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, po qëndron në Regensburg të Gjermanisë ku ka takuar gra dhe vajza që jetojnë dhe punojnë në këtë qytet.

Deputetja Musliu ka theksuar se “këndvështrimet e tyre janë pragmatike dhe të qarta. Gratë dhe vajzat në diasporë presin nga ne më shumë angazhim, më shumë punë dhe përkushtim në rrugën tonë për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës në udhëheqje të shtetit”.

Mërgata është në mbështetje të nismave që kanë peshë dhe rëndësi për vendin e për kombin, ka deklaruar deputetja Musliu duke shtuar se është nevojë dhe domosdoshmëri e kohës që PDK të kthehet fuqishëm e të qeverisë me vendin.

Postimi i plotë:

Respekt e mirënjohje për mërgatën tonë e cila po vazhdon angazhimin e fuqishēm për mbështetjen e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Në kuadër të vizitës sonë në Regensburg, kisha kënaqësinë dhe nderin tė bashkëbisedoj me gratë dhe vajzat që jetojnë dhe veprojnë në këtë qytet. Në një atmosferë tejet mikpritëse biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe për Partinë Demokratike.

Këndvështrimet e tyre janë pragmatike dhe të qarta. Gratë dhe vajzat në diasporë presin nga ne më shumë angazhim, më shumë punë dhe përkushtim në rrugën tonë për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës në udhëheqje të shtetit. 

Në këtë kontekst, biseda jonë u zhvillua rreth dy temave kryesore: Avancimi i pozitës së Gruas dhe proceseve aktuale politike.

Kërkesat e tyre flasin një gjuhë të pastërt dhe pa hamendje. Avancimi i pozitës së Gruas duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore: Në luftimin e mentaliteteve të stërvjetëruara që në shoqërinë tonë u mbollën nga pushtuesit dhe në shkollimin cilësor të vajzave tona.

Çdo çasje tjetër është sipërfaqësore dhe rezultati do të jetë po ashtu sipërfaqësor.

Inspiruese është edhe gatishmëria e tyre për t’u bashkuar në kauza të vërteta për mbrojtjen e vlerave dhe të identitetit të PDK-së dhe atyre historike të Kosovës.

Qëndrimet e tyre janë tregues i një vetëdije të lartë qytetare dhe atdhetare. Heshtja institucionale rreth zhvillimeve të Gjykatës Speciale përceptohet si dështim i përbashkët i Kosovës për të mbrojtur vlerën më të madhe të kombit.

Partia Demokratike e Kosovës duhet të fokusohet në ngritjen e vetëdijës qytetare për ngritjen e kauzave kombëtare e shtetërore dhe të tregojë një vizion të qartë në raport me padrejtësitë që po u bëhën Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Calit, Nasimit e Hysniut.

Përballjen e tyre me akuzat e dizajnuara në Serbi e ndiejnë si përballje për mbrojtje të sakrificës shekullore.

Qëndrimet e tyre vërtetojnë edhe njëherë faktin e patjetërsueshëm se Mërgata është në mbështetje të nismave që kanë peshë dhe rëndësi për vendin dhe për kombin.

Të gjithë bashkë kemi ardhë në përfundim se është nevojë dhe domosdoshmëri e kohës që PDK të kthehet fuqishëm e të qeverisë me vendin.