75 Mall Live Search
12:48 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / C E

Musliu-Shoshi e pyet kryeministrin për çantën e humbur në Bruksel, Hoti e mohon se kishte dokumente zyrtare

Më 16 shtator është raportuar se delegacionit të Kosovës në Bruksel i ishte vjedhur një çantë që mund të kishte edhe dokumente të rëndësishme që janë përdorur për bisedime me Serbinë.

Në lidhje me këtë, anëtarja e Komisionit për punë të jashtme dhe diasporë, Ariana Musliu -Shoshi e ka pyetur kryeministrin, Avdullah Hoti, për veprimet që janë ndërmarrë në këtë rast, shkruan Indeksonline.

Bazuar në raportin informues të 16 shtatorit 2020 nga zyrtari ndërlidhës policor në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Bruksel, jemi njoftuar se profesorit Muhamet Mustafa në cilësinë e ekspertit në bisedime me Serbinë, në një restorant i është vjedhur çanta në të cilën kishte dokumentacion zyrtar të natyrës sensitive që kryesisht janë përdorur ose do të përdoreshin në bisedimet Kosovë-Serbi. Duke marrë parasysh natyrën e materialeve të humbura, policia belge ka angazhuar njësite të specializuara dhe është përcaktuar një prokuror të Kurorës së Mbretit për të hetuar rastin. Bazuar në këtë raport dyshimet janë se çanta është vjedhur nga një grup i organizuar për të futur materiale apo dokumente që ishin në çantë. Z. kryeministër çfarë veprimesh keni marrë ju me këtë rast dhe a keni marrë ndonjë informatë lidhur me motivet e vjedhjes së çantës së profesorit Mustafa”, ka qenë pyetja e deputetes së PDK-së për kryeministrin.

Kreu i Qeverisë e ka pranuar se në Bruksel është vjedhur çanta e profesorit Muhamet Mustafa, por ka mohuar se në të kishte pasur ndonjë dokument zyrtar që është përdorur në bisedime.

Kryeministri ka thënë se rasti është duke u hetuar nga autoritet përkatëse belge dhe zyrtarët e Kosovës janë në kontakte të vazhdueshme.

Megjithatë, në raportin e policisë thuhet se në çantën e humbur kishte pasur dokumente zyrtare dhe nuk kishte vetëm gjërat personale. /IndeksOnline/