20:31 / E Enjte, 11 Mars 2021 / Blerim

Musliu-Shoshi: Faktet tregojnë se krimet serbe i bënin me model të paracaktuar për secilin vend të Kosovës

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i është bashkëngjitur kujtimit të krimeve të Serbisë në Kosovë, ku për simbol i rrëfimeve të krimeve të tmerrshme serbe është bërë Leotrimi, që në kohën kur është vrarë ka qenë shtatë vjeç.

Shoshi në një postim në Facebook ka shkruar se mizoria e krimit të pushtetit okupues serb dëshmohet nga fjalët e nënës së tij.

Postimi i plotë i Musliu-Shoshit:

Pushtetit okupues të Serbisë, nuk i mjaftonte të përdorte dhunën për t’i frikësuar shqiptarët e Kosovës. Dhuna e ushtruar i tejkalonte dhe i afrohej metodave të dikurshme fashiste.

Kërcënime, dhunë, vrasje e masakrime duke mos i kursyer as fëmijët. Faktet tregonin se krimet i bënin me model të paracaktuar, për secilin vend të Kosovës.

Këtij krimi nuk i shpëtoi as djali 7 vjeçar i Malush Ahmetit, Leutrimi. Mizoria e pushtetit okupues serb, dëshmohet nga fjala e nënës së tij:

“Leotrimi më ka thirrë: ‘Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmut prej barku’, kur ja kam hjek teshat ia kam parë se ju kish qky barku dhe i kishin ra zorrët, ja kam qit xhemperin me ia mbulu, më ka thënë ‘ma nanë, mos um prek, se po më dhem shumë ”

Në Gradicë pas dhënies së ndihmës mjekësore Leutrimi nuk arriti të jetonte më shumë se tri orë.Djalin 7 vjecar e kemi varros në Gradicë, se nuk kemi mundur ta sjellim në Rezallë për ta varrosur”.. thotë nënë Shukrije Ahmeti nga Rezalla e Drenices.