75 Mall Live Search
09:45 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / MSH

Musliu-Shoshi: FSK-ja nuk është e Albin Kurtit!

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas deklarimit të djeshëm të LVV-së, me rastin e dërgimit të trupave të FSK-së në Ujman, nga ku u nxor trupi i pajetë i një 33-vjeçari.

Në një postim, Musliu-Shoshi tha se pushteti aktual i kishte ndaluar ushqimin FSK-së, e sot po tenton ta përdorë për teatër politik.

“FSK-ja nuk është e Albin Kurtit. Ajo është forcë e qytetarëve të Kosovës, e ndërtuar me përkushtim, me standarde të NATO-s dhe me respekt për shtetin dhe qytetarin”, u shpreh Musliu-Shoshi.

Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimës, teksa qeverisë në detyrë i ka kërkuar të mos “turpërojë institucionet”.

Ky është postimi i plotë i saj:

Ky pushtet i ndaloi ushqimin FSK-së, ia mohoi dinjitetin, e sot tenton ta përdorë për teatër politik!

Në vend që ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës si një shtyllë profesionale dhe apolitike të shtetit tonë, Albin Kurti po e përdor atë për qëllime të pastra propagandistike — madje edhe në momente tragjike, siç është humbja e jetës së një të riu në veri.

FSK-ja nuk është e Albin Kurtit. Ajo është forcë e qytetarëve të Kosovës, e ndërtuar me përkushtim, me standarde të NATO-s dhe me respekt për shtetin dhe qytetarin.

FSK-ja u ndërtua si simbol i sigurisë, jo si dekor për shfaqjet boshe të pushtetit!

Kur institucionet përdhosen nga dora e qeverisë për interesa personale e politike, shteti vdes pak nga pak.

Mjaft më me turpërimin e institucioneve!

Ngushëllime të thella familjes së të ndjerit. Bashkëndjej me ju!