75 Mall Live Search
16:13 / E Shtunë, 09 Gusht 2025 / MSH

Musliu-Shoshi: Vetëvendosje po e vendos partinë mbi shtetin, Kushtetuta është detyrim

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu-Shoshi u shpreh se vendimi i Kushtetueses i hap rrugën zhbllokimit të institucioneve që Albin Kurti dhe LVV-ja i kanë mbajtur peng.

“Sot, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zhbllokimin e Kuvendit, LVV po e vendos partinë mbi shtetin dhe interesin e ngushtë mbi interesin kombëtar. Ky është mentalitet autokratik që po e shtyn Kosovën drejt krizës së përhershme” shkroi ajo.

Ky është postimi i plotë i saj:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për krizën politike në Kuvend është i qartë: mbi Kushtetutë nuk ka parti, nuk ka individ dhe nuk ka mandat politik që lejon shkeljen e saj.

Ky vendim hap rrugën për zhbllokimin e institucioneve që Albin Kurti dhe LVV i kanë mbajtur peng për muaj të tërë, duke paralizuar punën e Kuvendit, bllokuar ligjet e rëndësishme dhe penguar mbikëqyrjen demokratike të qeverisë.

Sot, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zhbllokimin e Kuvendit, LVV po e vendos partinë mbi shtetin dhe interesin e ngushtë mbi interesin kombëtar. Ky është mentalitet autokratik që po e shtyn Kosovën drejt krizës së përhershme.

Kushtetuta nuk është opsion, është detyrim! Kush nuk e pranon, nuk ka vend në udhëheqjen e institucioneve të Republikës.

Kosova ka nevojë për qeverisje që respekton ligjin dhe punon për qytetarin e jo për një pushtet që e përdor krizën si mjet për të mbajtur kolltukun.