75 Mall Live Search
23:34 / E Hënë, 08 Qershor 2020 / indeksADMonline

Musliu: Vetëvendosje e paaftë për qeverisje, qeveria e tanishme u bë prej zorit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu konsideron se Vetëvendosje ishte e paaftë për qeverisje dhe se vendimet prej tyre janë marrë me diktat.

Musliu ka thënë se janë në opozitë pas shumë viteve, dhe se PDK e njeh mirë rolin e opozitarit.

“Pozicioni i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë që nga 6 tetori. PDK është parti opozitare që nuk bën pazare. Votuesi na ka qit në opozitë. Më së paku i takon Vetëvendosjes të hedh aktakuza, sepse secili dështim në këtë kohë i takon atyre që nuk janë treguar të gatshëm të qeverisin”.

“PDK e njeh shumë mirë rolin e opozitarit. Ne nuk kemi vija të kuqe. Partitë e tjera na kanë gozhduar neve. Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka vend për bashkëpunim me ata që e duan dhunën.Unë konsideroj që partia jonë e ka Grupin Parlamentar më të përgatiturin”.

Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, është një qeveri e zorit për shkak të votave.

“Është herët që të flitet. Ndoshta sot ishte dashur të flitet për qeverinë Haradinaj. Sepse fatkeqësisht për tre vjet i kemi ndërruar tre kryeministra. Qeveria Hoti është qeveri e zorit për shkak të votave. Kjo qeveri do të ketë të vështirë të ulë gjakrat. Kjo qeveri po i riparon dëmet e shkaktuar nga Qeveria Kurti. Pritjet e mia janë shumë të vogla duke marrë parasysh përgatitjet e kuadrave të kabinetit”.