75 Mall Live Search
10:54 / E Hënë, 07 Korrik 2025 / k.v

Musliu: Zbulimi i rrjetit serb të spiunazhit sukses historik i AKI-së

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka zbuluar rrjetin serb të spiunazhit duke bërë kështu që brenda pak kohës pesë persona të arrestohen e një të pranojë edhe fajin. Këtë Agim Musliu nga “Octopus” ia ka atribuuar si sukses historik AKI-së.

“Sukses historik i AKI-së në zbulimin e rrjetit serb të spiunazhit. Për herë të parë që nga paslufta, një person pranon fajësinë për spiunazh në Kosovë – përfshirë rekrutimin e një punonjëse në një organizatë ndërkombëtare. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për shtetin tonë, i arritur falë profesionalizmit të lartë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), tashmë e vlerësuar si lider rajonal në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, si nga institucionet vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare”, ka shkruar Musliu në rrjetin e tij Facebook.

Musliu ka përmendur pesë të arrestuarit për spiunazh të cilët po mbahen edhe në paraburgim.

“Me pesë të arrestuar për raste të ndryshme spiunazhi, të gjithë të dyshuarit mbahen aktualisht në paraburgim. Pranimi i përfshirjes në spiunazh paraqet sfidë të veçantë për çdo shërbim inteligjence. Por AKI dhe institucionet e sigurisë në Kosovë po dëshmojnë se janë të afta të përballen me këto sfida komplekse, duke iu kundërvënë strukturave si BIA serbe, e cila operon sipas metodave dhe shkollës ruse. Ndërkohë, AKI mbetet e përkushtuar ndaj standardeve, vlerave dhe praktikave perëndimore. Rasti i fundit duhet të shërbejë si alarm për organizatat ndërkombëtare në Kosovë: nevojitet monitorim më i rreptë i stafit të tyre për të parandaluar depërtimin e ndikimit të shërbimeve sekrete serbe e ruse në këto institucione”, ka përfunduar shkrimin Musliu duke shpërndarë dhe një grafik të spiunëve.