75 Mall Live Search
23:33 / E Martë, 21 Janar 2025 / Gj. Sh

Mustafa Abazi: Veç një javë fushatë, por nevoja për ndryshim është e madhe

Kandidati për deputet i LDK-së, Mustaf Abazi që vjen nga mërgata ka dalë me një falënderim për gjithë përkrahjen e madhe që po merr në këtë fillim fushate, e që ka kaluar vetëm një jave.

Abazi tregon se përgjatë kësaj kohe takoi shumë qytetarë në Podujevë e në gjithë Kosovën, dhe se të gjithë po e kërkojnë ndryshimin.

“Si kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, gjatë kësaj jave pata mundësinë të takohem me qindra qytetarë nga Llapi dhe pjesë të tjera të Kosovës.

Në Llapi takova qytetarët e Podujevës, por edhe të fshatrave përreth. Isha në tubimet e LDK-së në Gllamnik, Llapashticë, Kerpimeh, Dyz, Dumnicë e Poshtme dhe të Epërme, Bajqinë, Ballofc, Bradash, Sfeqel e Obtançe, si dhe në dy degët e LDK-së në qytet, por edhe në takime derë më derë me qytetarët.

Ajo që pashë në të gjitha këto takime ishte dëshira dhe kërkesa e qytetarëve për ndryshim. Nevoja për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisjeje është zëri që po dëgjohet gjithandej. Të gjitha hallet dhe shqetësimet e qytetarëve i kam dëgjuar dhe i kam marrë me kujdes të veçantë, dhe siç ju kam premtuar gjatë këtyre ditëve, nëse do të jem deputet në Kuvendin e Kosovës, të gjitha ato do t’i adresoj”.

Ndër të tjera biznesmeni që vjen nga diaspora ka prezantuar edhe objektivat e tij në momentin kur të merr ulësen e Kuvendit të Kosovës.

Ajo që do ta kem fokus të punës sime në Kuvend do të jetë zhvillimi ekonomik, si nevoja kryesore e qytetarëve, dhe kjo mund të arrihet, sidomos nëse ky vend i jep mundësi mërgimtarëve tanë të mrekullueshëm. Zotohem se do të angazhohem me tërë qenien time në këtë drejtim. Prandaj, ju ftoj që edhe në ditët dhe javët që kanë mbetur, të vazhdoni me këtë entuziazëm, pasi që kjo ishte java jonë, ishte java e LDK-së, dhe pas 9 shkurtit fitorja do të jetë e jona.

 Këtë na e dëshmuat vetë ju gjatë këtyre ditëve, duke na pritur dhe duke na dëgjuar me shumë kujdes.

Mos u ndalni, koha e ndryshimit po vjen, koha e LDK-së është afër, prandaj le të punojmë së bashku, secili veç e veç, dhe ta ndërrojmë kahjen e vendit, të cilën e devijuan ata që qeverisën keq dhe dobët për katër vjet. I falënderoj të gjithë aktivistët tanë dhe ekipin tim për punën dhe përkushtimin e madh gjatë kësaj kohe. Zoti ju ruajt dhe ju bekoftë ju dhe këtë vend të mrekullueshëm! Faleminderit, përfundimisht!”, e përmbyll qëndrimin e tij Mustafë Abazi.