Mustafa diskuton me ambasadorin e Italisë për zgjedhjet e parakohshme dhe korrupsionin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa sot priti në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Siç njofton LDK, kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Sardi për qëndrimin e LDK-së mbi temat kyçe dhe zhvillimet politike në Kosovë.
Temat kyçe të takimit ishin dialogu me Serbinë, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, korrupsioni dhe rendi dhe ligji.
“Kryetari Mustafa ritheksoi qëndrimin që LDK-ja mbështetë dialogun me Serbinë, si dy shtete sovrane që njohin njëra-tjetrën, por se LDK nuk mbështetë ndryshimin e kufijve mbi të cilët është shpallur dhe njohur Pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.
Kryetari Mustafa njoftoi Ambasadorin Sardi edhe për iniciativën e LDK-së për të bashkërenditur veprimet e nevojshme me të gjitha partitë opozitare për ta rrëzuar këtë qeveri përmes mocionit të mosbesimit.
Në fund, kryetari Mustafa falënderoi ambasadorin Sardi për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e rëndësishme shtetformuese.
Në takim ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri dhe zëdhënësi Besian Mustafa”, thuhet në njoftim./KosovaPress/