14:41 / E Enjte, 23 Maj 2019 / indeksADMonline

Mustafa e Ahmeti shtyjnë takimin e paralajmëruar për sot

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Partisë Sociale Demokrate, Shpend Ahmeti, e kanë shtyrë takimin e paraparë për sot.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur që ky takim është shtyrë për javën e ardhshme ku pritet të diskutohet për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Dje në mëngjes kryetari i LDK-së ishte takuar me liderin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të koordinuar hapat e përbashkët të opozitës për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Këtë iniciativë të krerëve opozitarë pritet ta mbështes edhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti. PSD në kuvend ka 12 deputetë pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje. Aktualisht të tri partitë opozitare kanë 56 deputetë nga 61 sa duhet për rrëzimin e qeverisë. Dje votën për rrëzimin e qeverisë e ka premtuar edhe deputeti i Nismas, Milaim Zeka./Indeksonline/