14:08 / E Hënë, 12 Tetor 2020 / indeksADMonline

Mustafa hap Forumin e Politikave Bujqësore, APF 2020

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, bëri hapjen e Forumit të Politikave Bujqësore (APF). Ky forum është organizim i Grupit të Përhershëm Rajonal të Punës për Zhvillimin Rural (SWG), presidencën njëvjeçare të së cilës për vitin 2020 e ka Republika e Kosovës.

Midis tjerash, në këtë forum virtual u diskutua mbi bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e resurseve natyrore në kohë pandemie, si edhe u këmbyen eksperiencat dhe mësimet e marra gjatë kësaj periudhe.

Njëherësh, në këtë forum u fol edhe rreth zhvillimeve të fundit të politikave bujqësore në kontekstin e procesit të përafrimit me politikat e Bashkimit Evropian dhe pandeminë në vendet e paraanëtarësimit.

Me këtë rast, ministri Mustafa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19.

“Ky bashkëpunim ndihmon në shkëmbimin e informacionit dhe përvojave, veçanërisht pasi rruga jonë si rajon, drejt Bashkimit Evropian është në një linjë. Platforma SWG mbetet një shembull i shkëlqyeshëm për këtë bashkëpunim midis nesh dhe ne jemi të përkushtuar drejt zbatimit të konkluzioneve dhe vendimeve që rezultojnë nga kjo platformë”, tha ministri Mustafa.

Forumi i Politikave Bujqësore (APF) është një ngjarje disa ditore mbi politikën rajonale bujqësore në Evropën Juglindore, i cili organizohet nga Grupi i Përhershëm Rajonal i Punës për Zhvillimin Rural (SWG), ku aktorë relevantë rajonalë dhe ndërkombëtarë,  japin rekomandime të politikave rajonale për zhvillim rural.