75 Mall Live Search
22:15 / E Martë, 24 Qershor 2025 / Burim

Mustafa i LDK-së: Kosova B jashtë funksionit – KEK në kolaps energjetik

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka njoftuar se blloku B1 i Termocentralit Kosova B ka rënë jashtë funksionit vetëm pak minuta më parë, duke e lënë këtë kapacitet energjetik jashtë sistemit në tërësi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa ka thëtë se kjo ndodhi pak para se të mbusheshin 24 orë nga përfundimi i remontit të këtij blloku, duke ngritur shqetësime për keqmenaxhim brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

“Blloku B1 i KEK ka rënë jashtë funksionit para pak minutash, kur s’janë bërë as 24 orë prej që është kthyer nga remonti. Çka po bën ky menaxhment i KEK-ut, i emëruar nga VV, kështu?!?!”, ka shkruar ai.

Mustafa tutje ka sqaruar se blloku tjetër, B2, ndodhet aktualisht në remont, që nënkupton se i gjithë Termocentrali Kosova B është jashtë funksionit.

Mustafa shton se nga Termocentrali Kosova A është në punë vetëm blloku A5, ndërsa të gjithë blloqet e tjera janë jashtë funksionit.

“Krejt Kosova ka mbetë në një bllok! E pjesa tjetër e energjisë? Po blehet nga jashtë, natyrisht, me çmime marramendëse. Xhepat e funksionarëve të VV trash e ma trash”, përfundon reagimin e tij zëdhënësi i LDK-së.

Ky zhvillim vjen në një periudhë të ndjeshme për sistemin energjetik të vendit, ku çdo ndërprerje ose mosfunksionim i termocentraleve sjell pasoja të drejtpërdrejta për furnizimin me energji dhe buxhetin e shtetit. /IndeksOnline/