Mustafa: Koncept dokumenti për lojërat e fatit do e bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se Qeveria me koncept dokumentin për lojërat e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni, transmeton Indeksonline.
Ky është postimi i plotë i tij:
Qytetarë të nderuar
Ky vit po përfundon me një qeverisje që dështoi në fushat themelore por me një premtim të madh për kumarin dhe kumarxhinjtë.
Qeveria me koncept dokumentin për lojëra e fatit do ta bëjë Kosovën lavatriqe të parave të pista nga droga e prostitucioni; nga fajdeja, tenderët dhe ekonomia informale. Vitin që vjen pritet se në shtëpi do të vijnë burrat me xhepa bosh, pa para me të cilat e provojnë fatin e tyre dhe fëmijët e përlotur të cilët, në vend të ushqimit, afër shkollave të tyre luajnë lojëra të fatit.
Ky është premtim i madh i Qeverisë së madhe me ministra dhe zëvendësministra me aktakuza!
Në vitin 2019 duhet të jemi gati të mbrojmë familjet tona, fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë nga vendimet dhe veprimet e papërgjegjshme të kësaj qeverie.
Por, ne do të ngadhënjejmë! IM./Indeksonline/