Mustafa: Me PDK-në flasim vetëm për rrëzim të Qeverisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar takimin që pati në shtëpinë e tij me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Mustafa ka hedhur poshtë zërat që nga presidenti i Kosovës ka pasur ndonjë ofertë, përveç informacioneve që ky i fundit i ka dhënë për bisedën me zyrtarët amerikan që pati javën e kaluar, përcjellë Indeksonline.
“Kam takuar edhe zotërin Limaj e Kurti. Njerëzit kanë ardhë në shtëpinë time dhe kam qenë i nderuar, për shkak se unë ende nuk po mund të lëviz aq sa duhet. Thaçi ka qenë, por nuk ka kërkuar diçka të veçantë. Ai kur ka thirrë me ardhë, ka thënë se e sheh të domosdoshme të më njoftojë për bisedën me zyrtarët amerikan, pas asaj që ata kanë thënë se mund të rrezikohet prania ushtarake në Kosovë për shkak të taksës”, deklaroi Mustafa gjatë mbledhjes së kryesisë së LDK-së që pati sot në Prishtinë.
I pari i LDK-së, foli edhe për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, duke mos mohuar se nëse kjo ndodhë mund të ulen me PDK-në për bisedime.
“Lidhur me mocionin, ne si LDK po bëjmë përpjekje që së bashku me VV ta rrëzojmë Qeverinë aktuale. Kur ta sheh se për çfarë do ta rrëzonim Qeverinë, atëherë mund të ulemi me PDK-së, të shohim se çfarë mund të flasim”.
Tutja Mustafa tha se LDK i sheh si zgjidhje të vetme zgjedhjet dhe se askush të mos mendojë se nëpërmjet LDK-së do të shpëtohen “ndytësitë e këtij koalicioni”.
“Këtë që e kanë bërë duhet ta lajnë vet”, tha ai.
Sipas tij Kosova duhet të jetë e kujdesshme ndaj miqve për sjelljet që bën e edhe duhet të jenë të kujdesshëm për dialogun.
“Duhet dikush t’i garantojë qytetarët se në dialog nuk do ketë shkëmbim dhe korrigjim territoresh dhe nuk do vihet në tavolinë deklarata e pavarësisë sepse çdo veprim për territor do ta zhbëjë shtetin që e kemi bërë. Do të vazhdojmë ta përkrahim dialogun, por nuk do përkrahim dialogun që vë në pikëpyetje të arriturat tona”, tha Mustafa/Indeksonline/