75 Mall Live Search
10:27 / E Enjte, 18 Dhjetor 2025 / Z S

Mustafa për skandalin me emërimin e Faruk Mujkës në “Ibër Lepenc”: Me këtë parti në pushtet, skandalet s’kanë të ndalur

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa e ka quajtur qeverinë nën udhëheqjen e Vetëvendosjes “Qeveri të WhatsApp-it”, duke përmendur skandalin që u publikua në lidhje me emërimin e Faruk Mujkës në krye të ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci”, e ku ai u punësua duke komunikuar me Dejona Mihalin dhe ministren tani në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Mustafa në një konferencë për media bashkë me anëtarin e kësaj partie, Berat Rukiqi tha se kjo metodë e tyre ka dëshpëruar edhe të rinjtë të cilët mësojnë fortë por në fund dëshpërohen veçse nuk e kanë mundësinë e një komunikimi me Mihalin.

“Me këtë parti në pushtet, skandalet nuk kanë të ndalur, err e terr. Në media kemi parë zbulimin e skandalit të radhës së Vetëvendosjes. Aty u shpalos manuali i VV-së se si e mbyt shpresën e një të riu që mëson fort, e pastaj dëshpërohet rëndë dhe në fund mbetet i papunë e i pashpresë, vetëm sepse nuk e ka ‘WhatsApp’-in e Dejones. VV-ja erdhi në pushtet me premtimin se do të punojë me duar të pastra, por shumë shpejt u kuptua dhe u shpalos se janë të zhytur kokë e këmbë deri në fyt në pazare për punësime. Kjo nuk është qeveri, por është thjesht një qeveri e ‘WhatsApp’-it”, tha Mustafa.