18:52 / E Shtunë, 08 Shtator 2018 / indeksADMonline

Mustafa për Vuçiqin: E papranueshme që flet për resurset e tokat sikur të ishin të tij

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se është normale që Presidenti i një vendi fqinj të vizitoi vendin tonë, duke iu referuar presidentit serb, Aleksander Vuçiq.

Por, ai e ka quajtur të pranueshme që ai  të flet për resurset natyrore dhe tokën sikur të ishin të tij, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i plotë:

Edhe përkundër deklaratave rrahagjokse të bartësve të institucioneve të Kosovës, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq po e viziton veriun e Kosovës sipas agjendës së tij.

Problemi nuk qëndron në faktin se një President i një vendi fqinj po e viziton vendin tonë, sepse në një logjikë normale ajo të ishte e natyrshme, ashtu siç do të ishte e natyrshme që Presidenti ynë të vizitojë Serbinë.

Por është e papranueshme që një president i një vendi fqinj të flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij. Sa është e papranueshme që Presidenti ynë në mënyrë jokushtetuese, i kurthuar në grackat serbe dhe të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të shpreh pretendime territoriale ndaj një vendi fqinj, sepse këtu gjen hapësirë sjellja e papranueshme dhe hegjemoniste e Vuçiqit.

Kosova ka territorin e saj, mbi të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe ky territor nuk është i negocueshëm me askënd për aq sa nuk është e negocueshme pavarësia e Kosovës./Indeksonline/