20:19 / E Mërkurë, 18 Mars 2020 / indeksADMonline

Mustafa: S’kam bashkëpunuar me Thaçin, patëm vetëm një bisedë telefonike dje

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka deklaruar se partia e tij do të iniciojë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti.

Mustafa tha se kjo është diskutuar në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së dhe kanë vendosur që të iniciohet ky mocion mosbesimi, pasi nuk dëshirojnë të jenë pjesë e një qeverisje të tillë.

Por në deklaratën për media, Mustafa mohoi të ketë bashkëpunuar me presidentin Hashim Thaçi për propozimin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend dhe se pati vetëm një bisedë telefonike, raporton Indeksonline.

Madje ai tha se Thaçi u lajmërua pas postimit të tij në Facebook, por që Mustafa tha se pati vetëm një opinion të tij lidhur me situatën.

“Sa i përket Thaçit s’kemi pasë asnjë marrëveshje me të. Thaçi më është lajmëruar dje pas postimit në Facebook lidhur me nevojën e bashkëpunimit të institucioneve me bindjen e tij se e kam kritikuar se s’po merr masa. Unë i thashë se është një opinion i imi, i një kryetarit të partisë se kemi përgjegjësi politike dhe unë them se ju të bashkëpunoni njëri me tjetrin.Ne s’kemi kërkuar në mënyrë eksplicite që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme si subjekt politik, përveç mendimit tim që e kam dhënë se është një opsion që të përmbyllet kjo situatë”, tha Mustafa./Indeksonline/