Mustafa: Strategjia “… edhe bar do hamë…” nuk i ofron popullit zgjidhje

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka folur për gjendjen e krijuar pas ndërprerjes së furnizmit me ngrohje.
Ai tha se Qeveria duhet të ketë strategji të qartë të energjisë, raporton Indeksonline.
“Të qenurit në pushtet kërkon gjetje të përgjigjeve dhe zgjidhjeve për problemet e qytetarëve. Nuk mjaftojnë fjalët e mëdha boshe.
Strategjia “…edhe bar do hamë…” nuk i ofron popullit zgjidhje por thjeshtë fjalë të mëdha e shtëpi të ftohta e të errëta“, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Strategjia “… edhe bar do hamë…”
Kur KEK-u nuk prodhon energji elektrike, nuk prodhon as avull për Termokos duke lënë qindra mijëra banorë pa rrymë dhe pa ngrohje.
Pushteti i sotëm, kur ishte në opozitë, deklaronte se qytetarëve nuk ju intereson nga vie rryma, nga KEK apo nga importi, ata thjeshtë duan rrymë. E saktë, pajtohem. E sot? Në vend që të ju sigurohet energji elektrike qytetarëve u kërkohet ta kursejnë energjinë, duke fikur çdo gjë në shtëpitë e tyre! E për ngrohje? Mos përdorni energjinë elektrike, mos përdorni drutë, mos përdorni thëngjillin, ngrohjen qendrore ua ndalë KEK/Qeveria… mërdhijuni! Sëmuruni!
Në vend të propagandës boshe dhe urdhrave qesharake drejtuar qytetarëve, Qeveria duhet të ketë strategji të qartë të energjisë:
– Nëse nuk prodhon energji elektrike KEK-u, ku, kur, sa dhe me cfarë çmimi mund të importojmë atë?
– Kur nuk punon KEK-u, si do të ngrohen banorët e Prishtinës?
– Kanë deklaruar vazhdimisht se janë kundër përdorimit të thëngjillit. Ku, kur, sa dhe me cfarë çmimi do të prodhohet energji elektrike nga burimet e ripërtërishme?
– A funksionon Termokosi pastaj nga këto burime të ripërtërishme apo duhet kthyer ngrohjen me mazut? Apo duhet mbyllur pastaj Termokosin dhe të ndërtohet sistem tërësisht i ri i ngrohjes qendrore? Nëse po, ku, kur dhe me çfarë çmimi do të ndërtohet ky sistem i ri?
– Nëse kemi pengesa të furnizimit me karburant, cilat janë alternativat? Sa shpejtë dhe me çfarë çmimi zbatohen ato?
– A janë ende të sigurt se nuk kemi nevojë për gazin natyror?
– Po për thëngjillin?
Të qenurit në pushtet kërkon gjetje të përgjigjeve dhe zgjidhjeve për problemet e qytetarëve. Nuk mjaftojnë fjalët e mëdha boshe.
Strategjia “…edhe bar do hamë…” nuk i ofron popullit zgjidhje por thjeshtë fjalë të mëdha e shtëpi të ftohta e të errëta.