13:14 / E Mërkurë, 30 Shtator 2020 / indeksADMonline

Mustafa takoi përfaqësuesit e shoqatave të fermerëve dhe agropërpunuesve, u premton përkrahje

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa u takua me përfaqësuesit e shoqatave bujqësore ku u shtruan çështje me të cilat po përballen fermerët.

Me këtë rast, ministri Mustafa u zotua se ministria do ta mbajë derën hapur për secilën kërkesë që adresohet nga sektori bujqësor.

Më tej, ai shprehu përkushtimin e MBPZHR-së, por dhe të Qeverisë për të qëndruar afër shoqatave, për të përmirësuar situatat me të cilat po përballet sektori i bujqësisë.

Shoqatat bujqësore nga ana tjetër, kërkuan të dinin se kur do të fillojë pagesa e subvencioneve, dyfishimin e të cilëve e kumtoi ditë më parë ministri Mustafa, i cili në këtë temë tha se, filluar nga zbatimi i paketës për rimëkëmbje ekonomike së shpejti do të ndjehet impakti pozitiv në bujqësi, i kësaj pakete të Qeverisë së Hotit.

Nga shoqatat e bujqve po ashtu kërkuan nga ministri Mustafa që vazhdimisht t’i vizitojë në terren që së afërmi të njihet me sfidat, kërkesë të cilës ministri Mustafa iu përgjigj duke thënë se, terreni është ai përmes të cilit MBPZHR-ja ka identifikuar sfidat e bujqve, të cilat vazhdimisht po i zgjidh.

Takimi me shoqatat e bujqve është takim i rregullt koordinues dhe informues, të cilin e organizon MBPZHR-ja dhe ministri Mustafa me qëllim të identifikimit të sfidave të bujkut kosovar.