Mustafa thotë se nuk e di nëse Pacolli është në Kosovë, teksa flet për postet që do t’i takojnë AKR-së

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi janë duke deklaruar se janë dakorduar me AKR-në për lidhjen e koalicionit të ri.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë sot para gazetarëve se partia e udhëhequr nga Behgjet Pacolli do të marrë edhe ministri e pozita tjera udhëheqëse.
Madje ai tha se AKR do ta ketë vendin e vetë në koalicion, duke shtuar se me Pacollin kanë komunikuar më përpara e sapo të kthehet do të dakordohen me të edhe për pozitat që i takojnë në qeverinë e re, transmeton Indeksonline.
“Sa i përket AKR-së jemi marrë vesh që ta kenë vendin e vetë, me qenë që z.Pacolli s’është i qasshëm s’kemi arritur të ulemi, kemi komunikuar përpara me të dhe mbetet më vonë që ta zgjidhim me të edhe përfaqësimin e tyre në ministri dhe pozitave tjera politike”, tha Mustafa.
Mustafa tha se është habitur nga qëndrimi i Xhelal Sveçlës, teksa kur u pyet nëse Pacolli është në Kosovë tha se nuk e di.
“Të ju them të drejtën më ka habitë qëndrimi i ushtruesit të ministrit të brendshëm se s’mund të shprehet ashtu, nuk janë ministrat që vendosin kush do të arrestohet në kuvend”, shtoi ai.
“Nuk e di”, ndërkaq, tha Mustafa i pyetur nëse Pacolli është në Kosovë. /Indeksonline/