75 Mall Live Search
13:16 / E Martë, 25 Gusht 2020 / indeksADMonline

Mustafa tregon se çfarë u diskutua dje dhe, kujt i adresohet se po ndjekin agjenda partiake

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka zbuluar detaje, lidhur me temat që kanë diskutuar në takimin e djeshëm me partnerët e koalicionit. Ai, tha se kanë vërejtje për numrin e zëvendësministrave në ekzekutivë, derisa, shton se disa prej ministrave nuk janë duke u koordinuar me kryeministrin për veprimet që po ndërmarrin.

LDK-ja i është përgjigjur sot AAK-së lidhur me kërcënimet që do të largohen nga koalicioni, në rast se nuk e përkrahin Ramush Haradinaj për president.

Isa Mustafa, ka folur për rikonfigurim të Qeverisë, duke dhënë kritika edhe për shpenzim pa meritë të parasë publike. Sipas LDK-së, duhet një Qeveri që do ta luftojë korrupsionin e do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike.

Se për kë e ka pasur fjalën kreu i LDK-së, kur ka folur për keqpërdorim të parasë publike, Mustafa është përgjigjur në një prononcim për Gazetën Express.

Ai thotë se kjo nuk u adresohet specifikisht dy ministrave të AAK-së, ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi dhe ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinajt. Megjithatë, Mustafa thotë se nuk është i kënaqur me numrin e madh të zëvendësministrave.

“Nuk u adresohet dy ministrave të AAK-së, sepse nuk e bëj unë vlerësimin e aktivitetit të tyre. Por, ka të bëjë më vlerësimin e çdonjërit se a punon për të arsyetuar paranë publike dhe specifikisht numrit të madh të zëvendsministrave”, deklaroi Mustafa.

Në takimin e djeshëm, sipas tij, janë dakorduar që të takohen kohë pas kohe, që të bisedojnë edhe çështjet tjera ku ka mos pajtime.

“E kemi hapur këtë temë, jemi marrë vesh që të takohemi kohëpaskohe dhe t’i bisedojmë këto dhe çështjet e tjera”, thotë ai.

Mustafa ka kritika edhe për disa ministra, të cilët nuk i përmend me emra. Sipas tij, disa ministra të Qeverisë së Hotit nuk janë duke u koordinuar me të për veprimet që po i ndërmarrin.

“Do të diskutojmë edhe performancën e ministrave dhe koordinimin apo jo të disa prej tyre me kryeministrin, të disa veprimeve që po i ndërmarrin. Për të qenë e suksesshme, Qeveria duhet të jetë një, unike”, ka përfunduar ai.

LDK -AAK janë duke i vazhduar përplasjet pas mosdakordimit lidhur me çështjen e dialogut dhe të presidentit. Kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ende nuk i është përgjigjur paralajmërimit të sotëm të Mustafës.