12:03 / E Diele, 08 Korrik 2018 / indeksADMonline

Mustafa tregon se çka biseduan mbrëmë me Haradinajn

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka pritur mbrëmë në shtëpinë e tij Kryeminsitrin e Kosovës, Ramush Haradinajn. Mustafa ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për qëndrimet e LDK-së dhe po ashtu dialogun me Serbinë.

Mustafa përmes një statusi në Facebook ka thënë se këto bisedime i kanë bërë edhe nga takimi me kryetarët e degëve të partisë së tij, transmeton Indeksonline.

Ish kryeministri Mustafa ka bërë të ditur se tani është në proces të rehabilitimit. Sipas tij, pas kthimit nga Gjermania i njëjti është vizituar nga Thaçi, Haradinaj, Limaj, Pacolli dhe Kurti.

Po ashtu nga ndërkombëtarët atë e kanë takuar ambasadorët e Shba-së dhe Britanisë, konkretisht, Greg Delawie dhe Ruari O’Connell, si dhe Ambasadorja e BE-së, Natalyia Apostolova dhe po ashtu Shefja e EULEX-it, Papadopoulou.

Ndryshe, Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dje kishte konfirmuar për Indeksonline takimin privat që ka zhvilluar  në shtëpinë e Isa Mustafes.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së.

Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti.

Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou.

Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar.

LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së./Indeksonline/

Haradinaj konfirmon vizitën te Mustafa, tregon edhe arsyen