08:32 / E Mërkurë, 22 Janar 2020 / indeksADMonline

Mustafa, ultimatum Kurtit

Kanë kaluar dy ditë prejse lideri i LVV-së Albin Kurti është emëruar mandatar për formimin e Qeverisë së re, por ende nuk është caktuar ndonjë takim mes LVV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Përkundrazi, lideri i LDK-së Isa Mustafa i ka dhënë afat prej pesë ditësh kreut të LVV-së Albin Kurti, që të veprojë drejt marrëveshjes. Në të kundërtën ai ka paralajmëruar konstatim të dështimit të përpjekjeve të LVV-së e të LDK-së për bërjen e Qeverisë, shkruan sot “Zëri”.

Lidhja Demokratike e Kosovë i ka dhënë ultimatum Lëvizjes Vetëvendosje të veprojë drejt marrëveshjes për bashkëqeverisje deri në fund të kësaj jave.

Në të kundërtën, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se duhet të konstatohet se nuk ka kushte për arritjen e ujdisë midis këtyre dy subjekteve. Pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së LDK-së, e cila u mbajt vetëm një ditë pasi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi emëroi liderin e LVV-së Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme, Mustafa kërkoi edhe një herë marrëveshje të balancuar nga Vetëvendosje.