Mustafa: Vendimet për tregun e lirë të energjisë i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave

Gjatë ditës së sotme Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se vendimet për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike i përkasin Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si organ i pavarur.
Lidhur me këtë ka reaguar ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai thotë se vendimet për tregun e lirë të energjisë i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave e jo ZRrE-së
‘’Sjellja e Qeverisë në detyrë dhe e ministrave në detyrë, pa kontroll parlamentar dhe pa pasur kujt ti japin përgjegjësi shihet më së miri tek nxitja dhe përkrahja e sjelljeve të ZRrE-së për imponimin e tregut të lirë të energjisë, përkundër vendimeve gjyqësore dhe fakteve të dëmeve të pariparueshme të sektorit privat të biznesit. Nuk i takojnë ZRrE-së vendimet për tregun e lirë të energjisë, siç shprehet ministrja e ekonomisë, por këto vendime i takojnë respektimit të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave’’, ka shkruar Mustafa.
Sipas Mustafës, ky Ligj parasheh që të zbatohet kur krijohen rrethanat e një konkurrence në treg , në dobi të sektorit privat, jo në shkatërrim të sektorit privat.
‘’Ky Ligj parasheh që të zbatohet kur krijohen rrethanat e një konkurrence në treg , në dobi të sektorit privat, jo në shkatërrim të sektorit privat. Duhet të ruhemi nga pasojat e mendësisë dhe veprimeve shkatërruese! Shtet kemi aq sa kemi ekonomi. Çfarë do të mbetet nga ky shtet nëse edhe këtë ekonomi ia shkatërrojmë?’’ është shprehur ai./Indeksonline/