14:30 / E Hënë, 14 Janar 2019 / indeksADMonline

Mustafa: Veseli po flet me logjikën e SHIK-ut, askush s’i do njerëzit e vet në Gjykatën Speciale

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ka thënë se “LDK po fërkon duart që 20 vite, porse e kanë me kot se atyre nuk iu bën asgjë Gjykata Speciale”.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, Mustafa ka thënë se Veseli ka folur me logjikë të ShIK-ut, pasi një logjikë e tillë nuk mund të jetë e një kryeparlamentari.

Ndërsa, sa i përket Gjykatës Speciale, Mustafa ka thënë se kjo është një sfidë për të treguar se UÇK ka bërë një luftë në mbrojtje të vendit të Kosovës.

“Themelimi i Gjykatës Speciale ka qenë vullnet i Kuvendit të Kosovës që të pastrohet një herë e përgjithmonë lufta e pastër e LDK-së,  do të thotë të sfidohemi në atë se UÇK ka bërë luftë në mbrojtje të vendit të Kosovës dhe ne presim që të gjithë të dalin të pafajshëm. Nëse ka ndonjëri prej tyre që ka bërë faj atëherë drejtësia është drejtësi dhe gjithmonë duhet të fitojë. Është mirë që Veseli të flet me si kryetar i Kuvendit dhe kryetar i një partie e jo si shef i Shikut. Logjikimi i tij më shumë logjikë e Shikut. Askush nuk i fërkon duart për njerëzit e vet që të shkojnë në Gjykatë, as për njerëzit e vet, dhe nëse dikush ka bërë krime duhet t’i fërkojë duart e veta jo të LDK-së.

Ndërsa sa i përket dialogut, Mustafa ka thënë se nuk shohin asnjë arsye të bëhen pjesë dekoruese  e grupit negociator.

“Ne nuk shohim asnjë arsye që të bëhemi pjesë dekoruese e këtij grupi negociator, qëndrimi i LDK-së ka qenë dhe mbetet se përgjegjësinë e dialogut duhet ta ketë Qeveria. Ne do ta marrim përgjegjësinë dhe e përkrahim dialogun, por rrugëtimi i LDK-së nuk është ky që po e bëjnë përfaqësues të ndryshëm të Institucioneve, LDK është e gatshëm të ofrojë zgjidhje në raste tjera. /Indeksonline/